Kryetari i Komunës së Novobërdës Bajrush Ymeri ka bërë apel tek të gjitha institucionet qeveritare të Kosovës dhe organizmat e tjerë vendorë ndërkombëtar për ta ndihmuar komunën në hapjen e rrugëve lokale.
“Të gjitha rrugët lokale të komunës sonë janë të bllokuara, reshjet e pandërprera të borës kanë paralizuar plotësisht jetën në komunë pasi që u kanë pamundësuar lëvizjen e qytetarëve” ka thënë kryetari Ymeri.
Në Novobërdë është e hapur vetëm rruga regjionale, të cilën nën kontratën me Ministrinë e Infrastrukturës po e mirëmban kompania “Tali” nga Gjilani.
“Komuna nuk ka asnjë mundësi buxhetore që të hap tender për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve lokale, sepse të hyrat vetanake të komunës janë të vogla dhe kjo është thjeshtë e pamundur” ka thënë kryetari Ymeri. Ai ka falënderuar disa nga firmat lokale e në veçanti Kompaninë “Bejta Comerce” e cila në të reshurat e kaluara i kanë ndihmuar kësaj komune me hapjen e rrugëve lokale dhe ka apeluar për ndihmë të serishme për shkak të trashësisë së borës deri në një metër që është në disa vende
“Kjo borë do të paralizojë edhe punën e komunës, sepse punëtorët e administratës që vijnë nga fshatra të Novobërdës nuk do të kenë mundësi që të vijnë në punë, përderisa procesi mësimor është ndërprerë. Përveç këtyre unë kam drojën se qytetarët që mund të kenë nevoja mjekësore nuk do të munden të shkojnë në spital” ka thënë kryetari Ymeri
Kryetari Ymeri ka thënë se Novobërda ka nevojë imediate për ndihmë, “ Apeloj tek Qeveria e Kosovës, KFOR-i , Ndërmarrjet private dhe tek të gjitha organizatat vendore e ndërkombëtare që ta ndihmojnë komunën tonë për ta kaluar këtë situatë të rëndë” ka thënë kryetari Ymeri.