Një qendër e re sportive dhe kulturore, e financuar nga Komisioni Evropian u inaugurua sot në fshatin Llabjan të Novobërdës. Shiritin përurues e prenë, kryetari i Novobërdës Bajrush Ymeri, Ministri i Kulturës Memli Krasniqi,ushtruesi i detyrës së shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian Christof Stock dhe Sekretari permanent i MAPL-së Besnik Osmani,të cilët e vlerësuan këtë qendër si një projekt madhështor për banorët e Novobërdës.
Kryetari i Komunës së Novobërdës, Bajrush Ymeri tha se inaugurimi i qendrës sportive dhe kulturore, përkthehet me realizimin e një ëndërre të kamotshme për këtë komunë. “Është një shtëpi e madhe dhe e jashtëzakonshme, që na e falën miqtë tanë ndërkombëtarë, një projekt madhështor. Ëndrrën tonë e bëri realitet Komisioni Evropian me paratë e taksapaguesve evropian. Ne ju jemi mirënjohës përgjithmonë. Ju siguroj se në këtë qendër të re do të ketë shumë aktivitete të kulturës, rinisë dhe sportit, për të gjitha komunitetet që jetojnë këtu”, tha Ymeri.
Ministri i Kulturës, Memli Krasniqi tha se Qeveria e Kosovës, do të jetë e përkushtuar që t’iu ofroj kushte të rinjve pa dallim etnie për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore e sportive. “Ne do ta vazhdojmë rrugën e zhvillimit të Kosovës në të gjitha fushat, ngase jemi zotuar se do të jemi në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallime. Në këtë rrugëtim, partnerët tanë nga Komisioni Evropian ka luajtur rol të rëndësishëm duke na e lehtësuar barrën e investimeve përmes mbështetjes së projekteve të mëdha, siç është ky objekt modern në Llabjan”.
Ndërsa, ushtruesi i detyrës i shefit të Zyrës ndërlidhëse të KE-së, Christof Stock shfaqi shpresën ‘që kjo qendër e re e shkëlqyeshme do të sjellë një ambient apolitik në të cilën njerëzit e këtij vendi do të mësohen të besojnë, respektojnë dhe të punojnë së bashku’. “Gjithashtu, kjo është një ndërtesë e shkëlqyeshme për mbajtjen e ngjarjeve sportive dhe kulturore, si dhe për përkrahjen e shkollave, OJQ-ve dhe shoqërive civile”.
Ndërtimi i një qendre të re sportive dhe kulturore është bërë me kërkesë nga komuna e Novobërdës për Zyrën ndërlidhëse të KE-së në Kosovë. Projekti i cili ka kushtuar rreth 1 milionë euro ka kontribuar në ekonominë e rajonit duke angazhuar kompani në punë ndërtuese dhe duke krijuar vende të lira pune. Ajo gjithashtu shërben në përmirësimin e shëndetit përmes aktiviteteve sportive, si dhe ka rritur kapacitetin e stafit komunal me standardet evropiane të procedurave të ndërtimit dhe të menaxhimit transparent të kontratave.
Në tërësi, qendra paraqet një ndërtesë moderne dhe është në përputhje me standardet evropiane. Me sipërfaqe totale prej 1472 m2, ka një hyrje të veçantë për publikun, sportistët dhe administratën, kabinat për ndërrim dhe zyrat. Pjesa e jashtme përfshinë parkingun, rrugë kalimtarësh si dhe gardhin e sigurisë. Kjo qendër është gjithashtu e pajisur me panele solare si njësi për prodhimin e energjisë, si dhe e siguron qasjen e personave me aftësi të kufizuara.
Inaugurimi i kësaj qendre u përcoll me një program të pasur kulturoartistik nga SHKA "Artana" si dhe Bendi i KFOR-it nga Kampi Bondstill.

