Në Qendrën Kulturore të Bashkimit Evropian në Prishtinë u bë prezantimi i Raportit të progresit mbi vënien në jetë të Zonave të Mbrojtura për Trashëgiminë Fetare dhe Kulturore në Kosovë.
Në këtë prezantim,të pranishëm ishin edhe Shefi i ICO-së, Pieter Feith, zyra e të cilit e ka përgatitur këtë Raport, ministri i MKRS-së Memli Krasniqi zv/ministri i Mjedisit , Shpëtim Rudi, si dhe Kryetari i Komunës së Novobërdës, Bajrush Ymeri.
Shefi i ICO-së, Pieter Feith, vlerësoi se ka mjaft sfida në ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Edhe ai tha se sfidat e trashëgimisë kulturore në Kosovë nuk janë unike por janë të njëjta siç i kanë edhe shumë vende të tjera në botë. Ai përmendi se duhet të ketë një infrastrukturë ligjore të kompletuar për këtë fushë, që ato ligje të zbatohen dhe që të ketë një përkushtim më të madh dhe koordinim më të mirë të të gjitha palëve, institucioneve, shoqërisë civile dhe bashkësive fetare.
Gjatë fjalës së tij, ministri Krasniqi tha se Raporti është një inkurajim i mirë për shtim të angazhimeve. Ai tha se ka zhvillime mjaft pozitive, por shtoi se gjithmonë ekziston nevoja që të bëhet edhe më shumë.
Ministri Krasniqi tha po ashtu se, në disa të gjetura të Raportit, në Zonën e Veçantë të Mbrojtjes në Novobërdë gjendja nuk është e mirë, ndërkaq tashmë janë marrë hapat e nevojshëm që të ketë një siguri dhe ruajtje të mirë të monumenteve në këtë zonë. Ai tha se kjo ka ndodhur për herë të parë që prej përfundimit të luftës.
Ndërkaq, Shpetim Rudi, zv.ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor,theksoi përkushtimin e tij që të bashkëpunojë me të gjitha palët në terren për implementimin e rekomandimeve të nevojshme që vijnë nga ky Raport.
Ndersa Kryetari Ymeri në fjalimin e tij nder te te tjera tha se është kënaqësi të jem këtu dhe të kontribuojë për tu siguruar se trashëgimia unike evropiane e Kosovës ruhet dhe mbrohet.
Si Kryetari i Komunës së Novobërdës, unë jam i përgjegjshëm ndaj qytetarëve dhe i vetëdijshëm se interesat e tyre janë prioriteti im i parë. Në këtë aspekt,unë kam punuar shumë ngushtë me Qeverinë e Kosovës dhe ICO-në për tu siguruar që të dy Zonat e Veçanta të Mbrojtura në Komunën e Novobërdës do te ruhen për brezat e ardhshëm.
Unë jam i përkushtuar për përmirësime të mëtejshme dhe për të punuar së bashku me partnerët e Kosovës për të siguruar se trashëgimia jonë ruhet dhe se brezat e ardhshëm do te kenë qasje të lirshme.
Raporti i prezantuar sot bën fjalë për 45 monumentet e trashëgimisë kulturore të përfshira në Planin e Ahtisarit.