Novobërda në vitin 2012 hynë me buxhet prej 2 milion e 279 mijë euro Nga buxheti total komuna e Novobërdës ka paraparë 527 mijë euro për investime kapitale.
Novobërdë, 26 gusht – Komuna e Novobërdës në vitin 2012, do të ketë një buxhet prej 2 milion e 279 mijë e 91 euro apo për mbi 123 mijë euro më të madh se këtë vit. Kjo komunë me rreth 10 mijë banorë nga buxheti total i paraparë për vitin 2012, 527 mijë e 940 euro i ka paraparë për investime kapitale kurse pjesa tjetër mbetet për paga , subvencione dhe shpenzime tjera komunale.
Kryetari i komunës, z.Bajrush Ymeri në diskutimin final publik me qytetarë të buxhetit për vitin 2012 , të komunës së Novobërdës, ka thënë se përkundër faktit se institucionet e komunës, kanë besimin e qytetarëve për të projektuar buxhetin , debatet publike me qytetarë rreth kësaj çështje, kanë një rëndësi të veçantë pasi ato mundësojnë që qytetarët më së miri dinë nevojat e tyre dhe mund të ndihmojnë komunën që të planifikoi më mirë projektet që zgjidhin këto nevoja. “ Falë bashkëpunimit me LOGOS-in dhe DEM-in, kemi bërë transparent gjithë procesin e planifikimit të buxhetit dhe çdo propozim i qytetarëve në këtë proces do të merret parasysh nga institucionet komunale”, ka thënë Ymeri.
Ai ka theksuar se komuna e Novobërdës si komunë me pak banorë por me një territor të zgjeruar me këtë buxhet të planifikuar e ka vështirë të zgjidhë gjitha problemet e qytetarëve, por me një angazhim të përbashkët në inkasimin e të hyrave vetanake dhe me ndihmën e donatorëve, shumë probleme të qytetarëve mund të zgjidhen. Ndërsa, Bersant Disha, nga projekti LOGOS, ka thënë se është shumë e rëndësishme që qytetarët të japin propozimet e tyre për projekte të nevojshme për ta , pasi komuna përmes mjeteve të parapara për investime kapitale si dhe mjeteve të siguruara nga të hyrat vetanake mund të realizoi një numër të projekteve që parashihen nga vetë qytetarët. “Komuna krahas planifikimit për investime kapitale ka mbështetje edhe të donatorëve , prandaj janë shumë të rëndësishme propozimet e qytetarëve se ku duhet të investohet”, është shprehur Disha.
Kurse Gani Mustafa, drejtor për buxhet është shprehur se është inkurajues fakti se komuna e Novobërdës nga vitin 2008 kur ka filluar të inkasoi mjete nga të hyrat vetanake deri në këtë vit ka arritur të rrisë shkallën e inaksimit të këtyre mjeteve. “ Në vitin 2008 kishim të planifikuara vetëm 560 euro të hyra vetanake, në vitin 2011 nga këto të hyra planifikohet të inkasohen 51 mijë euro prej të cilave deri në këtë periudhë të vitit kemi inkasuar 29 mijë euro apo 179 përqind e planifikimit”, ka thënë Mustafa, duke theksuar se nëse vazhdon ky trend i inkasimit të të hyrave vetanake atëherë në fund të vitit shkalla e inaksimit do të jetë 206 përqind, prandaj është kërkuar nga Kuvendi Komunal që të zgjerohet baza e të hyrave vetanake.
Qytetarët prezent në takimin për buxhetin kanë parashtruar edhe kërkesat e tyre për projekte të ndryshme si për rregullimin e fushë sportive në fshatin Vllasali, sigurimin e ujit të pijes për Novobërdë, subvencionimin e bujqësisë në pleh, farë e naftë, rregullimin e kanalizimit dhe rrugës në një pjesë të Novobërdës, sigurimin e transportit publik për nxënës, asfaltimin e rrugës në Bushicë, etj. Kryetari i Novobërdës, Bajrush Ymeri, u ka premtuar qytetarëve se gjitha propozimet do të merren parasysh dhe komuna krahas projekteve të propozuara për vitin 2012 do të shqyrtoi mundësinë për zgjidhjen edhe të problemeve tjera për qytetarë.