Në mbështetje të projektit për qeverisje lokale dhe decentralizim, LOGOS, zyrtarët komunal për urbanizëm si dhe sektorëve tjerë të administrative komunale të komunave, Viti, Kamenicë, Novobërd, Kaçanik, Kllokot, Han i Elezit e Shtërpce, janë certifikuar për punë me sistemin më të ri të punës në hartimin dhe implementimin e planeve zhvillimore komunale dhe urbane,GIS(SistemimiGjeografik i Informatave).
Norbert Piljs, koordinator i projektit LOGOS, ka thënë se trajnimi dhe certifikimi i zyrtarëve komunal për punë me sistemin GIS , ka një rëndësi të madhe sidomos në ato komuna ku në mbështetje të projektit LOGOS është duke u bërë hartimi i planeve zhvillimore komunale dhe zhvillimore urbane si dhe planeve rregullative , pasi këta zyrtarë janë të kyçur në hartimin dhe implementimin e këtyre planeve. Ai ka theksuar se do të vazhdoi me mbështetjen e komunave në hartimin dhe implementimin e planeve zhvillimore, urbane dhe rregullative, pasi hartimi i këtyre planeve ka një rëndësi të madhe për zhvillimin e këtyre komunave dhe në ofrimin e shërbimeve sa më të mira për qytetarë.
Ndërsa, Mentor Rexhepi, zyrtar i projekteve në LOGOS, ka thënë se ky trajnim i specializuar me zyrtarët komunal të komunave partnere të projektit LOGOS, që është mbajtur në Viti, kishte për qëllim që në ato komuna ku në mbështetje të projektit LOGOS është duke u bërë hartimi i planeve zhvillimore komunale dhe zhvillimore urbane si dhe në Kaçanik, ku është duke hartuar plani rregullativ i zonës së parë të qytetit, zyrtarët komunal të specializohen edhe në futjen dhe menaxhimin e informatave përmes sistemit GIS-it. “LOGOS, në bashkëpunim me komunat partnere Kamenicë, Novobërd dhe Shtërpc është duke punuar në hartimin e planeve zhvillimore komunale dhe urbane, kurse me komunën e Kaçanikut planin rregullativ urban, ndërsa komunat Viti e Hani i Elezit që tani më kanë këto plane, i ndihmon ato në implementimin më të lehtë të tyre dhe ky trajnim i ndihmon këto komuna që të kenë kapacitete profesionale për këto plane”, ka thënë Rexhepi.
Kurse Ismajl Baftijari, nga instituti për hulumtime shkencore “INSI”, ka thënë se trajnimi për GIS është i një rëndësie të veçantë për zyrtarët e komunave pjesëmarrëse në këtë trajnim , pasi kjo atyre ju lehtëson shumë punën në hartimin dhe implementimin e këtyre planeve që janë ndër dokumentet më të rëndësishme për të ardhmen e komunave. Trajnimin dhe certifikimin e zyrtarëve komunal për punë me GIS e kanë vlerësuar lartë edhe vetë zyrtarët e angazhuar në këto trajnime .Sami Vllasaliu dhe Rrahim Ahmeti nga komuna e Novobërdës janë shprehur se ky trajnimi i specializuar u ndihmon atyre në hartimin dhe implementimin e planeve zhvillimore komunale dhe urbane.