Fjalimi i Kryetarit të Komunës së Novobërdës z.Ymeri para të pranishmeve në qendren informuse të Komisionit Evropian
Të nderuar pjesëmarrës,
Unë besoj që disa prej jush kur keni vizituar Novobërdën nga larg keni parë një kështjellë, disa objekte banimi të rralla dhe një pejzash kodrinor. Dhe ndoshta keni menduar me vete: çfarë paska të veçantë ky vend, pse duhet pasur përkushtim të shtuar ndaj tij?.
Unë do të mundohem t’ju tregoj se prapa pamjes së parë të Novobërdës, fshihet një Novobërdë ndryshe. Novobërda është një qytet i lashtë që dikur ishte ndër qytetet më të rëndësishme të Evropës Juglindore. Në burimet e shkruara historike, Novobërda, për herë të parë përmendet në vitin 1319, me emrin Nuovo Monte. Ne sot dukemi një komunë periferike, por që në vitin e largët, 1349 kemi farkuar monedha autonome të njohura me emrin grossi di Novaberda. Pasuria minerale e Novobërdës me xehet e pasura të plumbit, argjendit dhe arit ndikoi në zhvillimin e fuqishëm ekonomik i cili zhvillim, në fillim të shekullit XV, e shndërron Novobërdën në njërin ndër qytetet me të mëdha dhe më të rëndësishme në Evropën Juglindore.Në Novobërdë kanë jetuar paraardhësit tanë të njohur si sundimtari i fundit, Lesh Spani, shkrimtari i njohur Martin Segoni e te tjerë. Por, që në mesjetë Novobërda ishte qytet ku jetonin e punonin popuj të ndryshëm. Vlen të përmendet se zhvillimit të xehetarisë i kontribuonin saksonët ndërsa të tregtisë dubrovnikasit. Novobërda e pati fatin e njëjtë të qyteteve tjera të rajonit gjatë mesjetës. Por edhe pas kësaj periudhe zhvillimi ekonomik i Novobërdës nuk u ndërpre ndjeshëm. Rënia e madhe e Novobërdës ndodh në fund të shekullit të XVII, pas luftërave austro – turke të vitit 1689 ku qyteti humb famën e dikurshme, pasi që nisin shpërnguljet e mëdha të popullatës si pasojë e shumë luftrave.
Dhe duke e vlerësuar Novobërdën si një qytet shumë i rëndësishëm dhe me një pasuri të jashtëzakonshme historike, arkeologjike dhe arkitektonike, territori i saj është evidentuar si “monumentet i kategorisë së parë i mbrojtur me ligj” nga ekspertët e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Muzeu Rajonal i Prishtinës.
Gërmimet e para arkeologjike kanë filluar qysh në vitin 1951 dhe me ndërprerje të kohëpaskohshme kanë zgjatur deri në vitin 1994. Këto gërmime kanë qitur në shesh themele të objekteve të kultit, ndërtesa banimi, varreza, enë të poçarisë, stoli ari, stoli argjendi etj. Në mesin e këtyre objekteve shquhet veçanërisht katedralja e kishës katolike të Shën Kollit (Shën Premtes), kisha katolike e njohur më emrin “ Kisha sase “etj.
Gjatë gërmimeve të vitit 1994 rrëzë paralagjeve të Novobërdës në anën juglindore të saj dhe nga gjurmimet pararendëse janë gjetur fragmente të enëve të qeramikës dhe monedha bronzi të shek. III dhe IV pas Krishtit. E gjithë kjo tregon se qyteti ishte ngritur mbi bërthamën e një vendbanimi a qyteti nga epoka e antikitetit, qytetit Damastion.
Ne qytetarët e Novobërdës ndjehemi krenar për këtë kështjellë që ende qëndron fuqishëm në këmbët e saj por edhe tërë asaj pasurie të madhe arkeologjike e historike që ka Novobërda. Ne kemi bërë shumë përpjekje që të ruajmë, kultivojmë dhe afirmojmë këtë pasuri të madhe të vendit tonë e cila është edhe me interes kombëtar, por Novobërda është vend shumë i varfër sot,dhe nuk mund të ndërmarr masa mbrojtëse apo përkrahëse me mjetet e veta, prandaj ne sot kemi nevojë për mbështetjen Tuaj për të ruajtur, mbrojtur dhe për të shndërruar në pasuri ekonomike këtë thesar të çmuar.
Novobërda sot ka potenciale të mëdha investuese. Interesimi është i shtuar për investime, veçmas në fushën e turizmit për ndërtimin e objekteve hoteliere rreth kështjellës. Novobërda, përveç tjerash ka edhe një pasuri të madhe natyrore, një pejzash piktoresk me një florë dhe faunë të pasur që e bënë të dallueshme nga komunat tjera.Mirëpo, ne si komunë jemi të interesuar që këtë pasuri të madhe arkeologjike dhe të natyrës ta mbrojmë dhe kultivojmë në mënyrën më të mirë të mundshme me qëllim që ajo të shndërrohet në një potencial të fuqishëm ekonomik.
Por si do të bëhet kjo? Me ndihmën tuaj dhe në bashkëpunim me institucionet relevante të vendit dhe më gjerë ne do ta vëmë në dritë pasurinë tonë, por në mënyrë profesionale. Do ta shndërrojmë Novobërdën në një qytet turistik, jo vetëm të vendit tonë por edhe më gjerë. Turizmi kulturor dhe ai i natyrës do të jenë faktorët kyç të zhvillimit tonë. Pra duke e mbrojtur dhe kultivuar të kaluarën ne do ta ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjitha qytetarët tanë. Për këtë, ndihma juaj është vendimtare.
Ne tashmë kemi bërë disa hapa në turizmin rural i cili përfshin shumë familje të komunës sonë. Numri i turistëve shënon rritje çdo ditë dhe është në shpërputhje me mundësitë tona për akomodim dhe përcjellje profesionale të vizitave. Vizita masive në kështjellën e Novobërdës ngjajnë çdo vit, në datat 6, 7 dhe 8 maj me rastin e ditës së shën gjergjit kur mijëra qytetarë, tashmë sipas një tradite të krijuar, vizitojnë monumentet e trashëgimisë.
Në këto data, kështjella ringjallet me jetë njerëzish për çka ne jemi të lumtur, por ajo që na dëmton është mungesa e vizitave në mënyrë të organizuar dhe profesionale, mungesa e kustosëve si dhe ruajtja nga dëmtimet të objekteve.
Na duhet kjo përkrahje se sot pasuria arkeologjike e Novobërdës nuk është e mbrojtur në mënyrë adekuate, vizitorët nuk orientohen nga askush dhe nga pakujdesia apo veprimet e qëllimshme vazhdimisht dëmtohet pasuria jonë e trashëgimisë.
Po ashtu ne ballafaqohemi edhe me gërmime ilegale të cilat nuk janë ndalur kurrë. Ne si komunë nuk kemi pasur deri më sot potencial ekonomik dhe profesional për të ndërmarrë masa mbrojtëse, jo për shkak të mungesës së planit, por për shkak të mungesës së mjeteve. E dimë që për kështjellën e Novobërdës tashmë Ministria e Kulturës e Kosovës ka bërë një plan për konservim dhe restaurim të saj. Ky plan duhet parë sesi mund të realizohet dhe zgjerohet më tej. Me ndihmën tuaj ne do ta mbrojmë dhe kultivojmë këtë pasuri të madhe kombëtare duke e shndërruar në gjenerator të fuqishëm ekonomik të Novobërdës dhe më gjerë.
Me ndihmën tuaj këtë pasuri të prekshme, që pret dorën e njeriut për t’u ringjallur, do ta shndërrojmë në vlerë kulturore e turistike për të gjithë. Ëndrra jonë është që Novobërdës t’ia kthejmë shkëlqimin e dikurshëm që ajo ka pasur.
Unë si Kryetar Komune dhe ne si Komunë e Novobërdës e kemi dëshirën dhe jemi të gatshëm të udhëheqim këtë proces dhe të kordinojmë të gjitha aksionet që do të ndërmerren për ta ruajtur,mbrojtur dhe zhvilluar këtë trashëgimi kombëtare.Por për këtë na nevoitet ndihma e juaj.
Ju faleminderit për vëmendjen tuaj!