Të veprohet menjëherë për ruajtjen e kalasë së Novobërdës
Kalaja mesjetare e Novobërdës është njëri nga lokacionet më të rëndësishme historike në Kosovë dhe ka vlera të jashtëzakonshme të trashëgimisë historike, arkitekturore, arkeologjike dhe natyrore. Sot nevojitet veprim i menjëhershëm dhe i koordinuar për ta ruajtur dhe zhvilluar ketë lokacion në mënyrë të qëndrueshme dhe për të rritur vetëdijen e qytetarëve për këtë lokacion dhe sa është i rrezikuar ai.
Zyra e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian (EUSR) e organizoi ngjarjen e sotme për të inkurajuar krijimin e një grupi punues të orientuar në detyra, që do të hartojë një udhëzues për zhvillimin e qëndrueshëm të lokacionit historik të Kalasë dhe Qytezës Mesjetare të Novobërdës. Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të qeverisë së Kosovës dhe autoriteteve komunale si dhe zyrtarë të shteteve anëtare të BE-së dhe palë të tjera të interesuara ndërkombëtare.
EUSR-ja, Pieter Feith, nëpërmjet një komunikate tha se “mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare është një objektiv që BE-ja e ka të përbashkët me institucionet dhe shoqërinë civile në Kosovë. Po kuptohet gjithnjë e më shumë se trashëgimia kulturore dhe konservimi i saj është përgjegjësi e përbashkët e të gjitha niveleve të qeverisjes dhe e të gjithë pjesëtarëve të komunitetit. Duhet të ndërmerren veprime të menjëhershme për të ruajtur atë që ka mbetur nga kalaja e Novobërdës duke marrë parasysh se heqja e murit dhe gërmimet e paautorizuara po e rrezikojnë integritetin e lokacionit.
“Kalaja ka rëndësi të madhe historike dhe arkeologjike dhe paraqet një potencial për zhvillim ekonomik, sepse mund të jetë njëri nga vendet që do të tërheq turistët për të ardhur dhe vizituar Kosovën. Unë jam mirënjohës për përkushtimin e Kryetarit të Komunës së Novobërdës, Ymeri, Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Krasniqi, dhe Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Gashi, për mbrojtjen e Kalasë së Novobërdës.”
“Duhet të kuptohet se historia e larmishme kulturore e Kosovës është pjesë e rëndësishme e identitetit dhe suksesit të saj në të ardhmen”, tha Feith