Novobërdë – (2LONLINE) – Procesi i decentralizimit në Novobërdë ka qenë më i vështirë se sa në komunat tjera të reja të krijuara me këtë proces…
Për më tepër, ai ka pohuar se nuk ka pas përkrahje të mjaftueshme, nga institucionet qendrore ashtu siç kanë pasur përkrahje komunat tjera të reja që kanë dalë nga procesi i decentralizimit… Ndërkohë që thotë të jetë munduar për t’ju sqaruar qytetarëve të shqetësuar se i vetmi aneks në pakon e Ahtisarit që është thënë se ka mundësi të rishikohet, është procesi i decentralizimit…”Ne do të jemi dëshmitarë dhe do të shohim se si po ec puna gjatë kësaj periudhe dhe nëse ka defekte ne duhet të ulemi dhe ta ndryshojmë atë e cila duhet të ndryshohet sepse asnjë qeveri në botë nuk duhet të caktojë kufij lokalë në dëm të qytetarëve të saj”…Për më tepër, lexoni intervistën në vijim, me kreun e Novobërdës, Bajrush Ymerin.
2lonline: Procesi i decentralizimit ka mëtuar që komuna e Novobërdës të zgjerohet me disa fshatra të Gjilanit e Kamenicës, me qëllim që të bëhet komunë me shumicë serbe dhe si e tillë të drejtohet nga serbet, megjithatë ju jeni në krye të saj. si po ecën qeverisja?
Ymeri: Në fillim duhet të pajtohemi me një konstatim se procesi i decentralizmit në Novobërdë ka qenë më i vështirë se sa në komunat e reja të krijuara me këtë proces. Të gjithë i dinë kundërshtimet që janë bërë në fillim dhe mendoj se kanë qenë reale. Ju lutem ndaluni dhe mendoni për një moment se çka do të thotë ta zgjerosh një komunë nga 92 km² në 204 km² pra ta zgjerosh edhe për 120%. Unë besojë që këtë zgjerim të përnjëhershëm nuk do të mund ta përballonte as një komunë më zhvilluar ekonomikisht e lëre më Novobërda për të cilën të gjithë e dinë se në çfarë gjendje të vështirë ka qenë. Ne kemi pasur kapacitete të mjaftueshme për të funksionuar me atë territor që e kemi pasur qe 20 vite, por jo edhe me këtë zgjerim që ka ndodhë. Mirëpo, të gjithë e dimë se ka qenë një vendim politik dhe për hir të shumë proceseve që është pritur të ndodhin, pas këtij procesi, është dashur të pajtohemi. Si do që të jetë ne jemi munduar që edhe përkundër vështirësive, me të cilat jemi ballafaquar, të arrijmë rezultate të dukshme. Ajo çfarë është shumë me rëndësi kemi vizituar të gjitha këto zona kadastrale dhe së bashku kemi identifikuar projektet që janë shumë të rëndësishme për jetën e qytetarëve dhe pastaj kemi filluar edhe financimin e tyre. Unë si Kryetar Komune kam arritur që gjatë kësaj kohe të vizitoj çdo cep të komunës dhe të bashkëbisedoj me këta qytetarë dhe, fatkeqësisht, kemi hasur një gjendje shumë të vështirë. Për shembull. në fshatin Makresh i Ulët asnjëherë dora e pushtetit nuk është ndjerë me asnjë investim prej kur është ky fshat, kurse ne kemi investuar në rregullimin e rrugës,transportit të nxënësve, këtë vit do ta bëjmë ujësjellësin etj. Në fushën e investimeve mendoj se kemi ecur mirë sepse, ju e dini që ka qenë koha shumë e shkurtër prejse ne e kemi marrë këtë zonë nën administrim dhe presim që edhe vitet në vijim të realizojmë edhe projekte tjera. Vështirësi në të cilat kemi hasur dhe me të cilat ende ballafaqohemi është procesi i bartjes së kompetencave nga komunat amë në komunën e zgjeruar edhe pse jemi në finalizim e sipër të këtij procesi. Tash për tash problem i madh mbetet distanca fizike nga këto lokalitete deri te komuna jonë sepse mungon një transport publik që do t’ua lehtësonte këtyre qytetarëve qarkullimin për të kryer shërbimet e tyre prandaj, këtë vit do të kërkojmë nga Ministria e Transportit të na e sigurojë një autobus që do të qarkullonte nga Gjilani e deri në Novobërdë dhe anasjelltas.
2lonline: Si është të drejtosh një komunë ku decentralizimi si duket më shumë është bërë për motive politike, sesa për të ofruar qytetarin me komunën ?
Ymeri: Ne në terren zbatojmë politikat qeveritare dhe legjislaturën e vendit. Sigurisht se në këto rrethana nuk është e lehtë ta drejtosh një komunë si Novobërda, por unë bashkë me stafin tim bëjmë të pamundurën me qëllim që qytetarët tanë, nga cilado zonë që vijnë të marrin shërbimet e kërkuara në mënyrën më korrekte të mundshme. Dhe, me bindje të plotë mund t’ju them se, sa i përket shërbimeve qytetarët janë të kënaqur sepse ato kryhen shpejt pasi që e gjithë administrata komunale është në një ndërtesë dhe qytetarët nuk kanë nevojë të bredhin prej një ndërtese në tjetrën. Ju thashë edhe më lartë se problem kryesore për ofrimin e shërbimeve të qytetarëve është largësia e lokaliteteve nga objekti i komunës.2lonline: Procesi i decentralizimit i ka dhënë kësaj komune nëntë zona kadastrale të komunës së Gjilanit dhe 5 zona kadastrale të komunës së Kamenicës. A po mund të funksionojë normalisht kjo komunë edhe me këto zona ?
Ymeri: Meqenëse territori i Komunës është zgjeruar tepër dhe komuna është në gjendje të vështirë mund të them se funksionimi është deri diku i kënaqshëm. Ne, nga data 1 janar 2009 kemi filluar të marrim në kontroll të gjithë territorin, kemi nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi me ministritë tona dhe komunat e Gjilanit dhe Kamenicës dhe kem filluar procesin e bartjes së kompetencave. Normalisht që gjatë kësaj kohe kem hasë në vështirësi të cilat i kemi tejkaluar me takime dhe biseda të ndryshme që kemi pas me komunat amë. Me këtë rast dëshirojë të falënderoj Kryetarin e Komunës së Gjilanit, z. Qemajl Mustafa, i cili ka shprehë gatishmëri për bashkëpunim për të tejkaluar këto vështirësi. Së fundi po ashtu kem nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi me komunën e Gjilanit për ofrimin e disa shërbimeve nga kjo komunë për zonat tona kadastrale dhe qytetarët e tyre pasi që ne, tash për tash, nuk kemi kapacitete të mjaftueshme të ofrojmë këto shërbime.
2lonline: Shumica e shqiptarëve të Novobërdës e kanë kundërshtuar zgjerimin e komunës së tyre. Ndërkohë që serbët më parë ishin pasiv ndaj një qeverie lokale të udhëhequr nga shqiptarët. Por, natyrisht tani kemi një realitet të ri. Cili është tani ky raport ?
Ymeri: Është e vërtetë që ky proces ka qenë i kundërshtuar fuqishëm nga qytetarët shqiptarë dhe mendojë se ka qenë real ndërsa serbët nuk janë shprehur as për as kundër. Unë kam qenë i vetëdijshëm se për mua dhe qeverisjen komunale do të jetë vështirë sidomos pasi që komuna është e populluar me shumicë serbe, por tani pas një viti këto raporte janë relaksuar dhe mund të them se jam i kënaqur. Unë edhe gjatë mandatit tim të parë dy vjeçar jam angazhuar shumë në këtë drejtim, që raportet në mes të komuniteteve të jenë të mira. Gjatë mandatit të kaluar dy vjeçar unë kam dëshmuar përkushtimin tim dhe institucionit që drejtoj që janë për të gjithë qytetarët njësoj, pa marrë parasysh përkatësin etnike të tyre. Nuk ka qenë e lehtë duke e pas parasysh bojkotet dhe pengesat që kanë ardhur nga strukturat paralele serbe, por ne megjithatë ia ka kemi dalë dhe, votimi që kanë bërë qytetarët e komunitetit serb në zgjedhjet e fundit – edhe pse ne balotazh kam qenë me një kundër-kandidat të komunitetit serb,- tregon se ne e kemi besimin e të gjithë qytetarëve. Pra nuk ka qenë e lehtë edhe për ta sepse, të votosh dikë nga komuniteti tjetër në rrethanat aktuale nuk është një punë e vogël, por kjo votë fitohet vetëm kur qeveria komunale dëshmohet se është e përkushtuar për të gjithë qytetarët njësoj.
2lonline: Çfarë realisht ka sjellë deri më tani krijimi i komunës së zgjeruar të Novobërdës. Kemi hyrë tani në vitin e ri 2011?
Ymeri: Edhe pse një vit kalendarik duket një periudhë e gjatë kohore, megjithatë viti 2010 nuk ka mjaftuar që të gjitha punët dhe projeksionet tona të përfundojnë e megjithatë, ne kemi arritur të realizojmë disa projekte për të mirën e qytetarëve tanë. Fatkeqësisht, po e ripotencojë edhe një herë, këto zona kadastrale i kemi marrë në gjendje të vështirë infrastrukturore. Për vetë faktin që kemi marrë shumë zona kadastrale ne nuk kemi arritur që gjatë kësaj periudhe kohore të realizojmë të gjitha ato projekte që i kemi identifikuar, por kjo nuk do të thotë që ne do të ndalemi me kaq sepse edhe në tri vitet e ardhshme do të investojmë me qëllim që t’u japim arsye këtyre qytetarëve të vazhdojnë të jetojnë aty ku janë, në vendbanimet e tyre.
2lonline: Cilat janë vështirësitë e theksuara të komunës së Novobërdës në ofrimin e shërbimeve themelore për qytetarët e saj ?
Ymeri: Tash për tash po ballafaqohemi me vështirësi në ofrimin e shërbimeve të ujit dhe mbeturinave për qytetarët tanë duke e pas parasysh që ne asnjëherë nuk kemi pasur kompani e cila do të merrej me këtë menaxhim. Ne këto probleme i kemi pas edhe në të kaluarën, por tani janë të theksuara edhe me tepër. Pastaj kemi vështirësi në menaxhimin e pyjeve dhe tokave pyjore sepse, ministritë tona po nënshkruajnë marrëveshje mirëkuptimi për bartje të kompetencave nga niveli qendror në atë lokal, ndërsa nuk po i kanë parasysh implikimet tjera buxhetore. Për shembull. ne nga komuna e Gjilanit dhe Kamenicës kem marrë edhe rreth 7000 hektarë pyje dhe tokë pyjore ndërsa ministria ka bartur te ne një roje pylli dhe një përgjegjës! Ne tani kemi gjithsej rreth 10.000 hektarë pyje dhe tokë pyjore dhe, shtrohet pyetja, si mund të ruhet kjo me një roje pylli kur dihen kriteret: për 500 e deri në 1500 hektarë pyje duhet të ketë së paku një roje.
2lonline: A keni hapësirë të mjaftueshme, resurse njerëzore dhe intelektuale si dhe buxhet për të mbështetur shërbimet për qytetar?
Ymeri: Hapësira ku ne jemi të vendosur është mjaft e ngushtë dhe po ashtu komplet kati i parë është në shërbim të ministrive që kanë zyrat e veta siç janë; MPB-ja, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Drejtësisë, zyra e pensioneve etj. Për pasojë, dy katet tjera të objektit të komunës janë të pamjaftueshme për kryerjen e punëve nga zyrtarët tanë. Sa i përket resurseve njerëzore dhe intelektuale mund të them se situata është e ngjashme me komunat tjera duke pas parasysh pagat e ulëta të shërbyesve civilë. Pra, kuadrat deficitare nuk po arrijmë t’i stimulojmë sa duhet me qëllim që të bëhen pjesë e institucioneve komunale. Ndërsa sa i përket buxhetit ai është i ndarë me kritere ashtu siç ndahet për çdo komunë tjetër dhe unë nuk jam fajtor që me zgjerim të territorit na kanë dhënë male, kodra, fusha e jo territor të zhvilluar ekonomikisht. Buxheti përcaktohet për numër të banorëve e unë nuk jam fajtor që kam territor për 900 mijë banorë ndërsa kam vetëm 9 mijë banorë. Po ashtu me 9 mijë banorë paramendoni se sa të hyra vetanake mund të realizoni, gjithsej 30.000 euro, edhe me kusht që ato të realizohen 100%!
2lonline: Na përmendi tri vështirësitë kryesore me të cilat komuna po përballet dhe ku problemet e komunës suaj janë të dukshme të mos themi të papërballueshme edhe në të ardhmen nëse nuk përkraheni në këtë drejtim nga institucionet qendrore të vendit dhe përkrahësit e ndryshëm ndërkombëtar ?
Ymeri: Problemi kryesor me të cilin po përballemi është papunësia e madhe e cila është e shprehur shumë në Novobërdë pasi që në komunë nuk ka ndonjë kompani serioze që mund të ofrojë punësim të qytetarëve. Po ashtu po përballemi edhe me vështirësi në furnizim me ujë të pijes dhe menaxhim të mbeturinave pasi që komuna asnjëherë nuk ka pas kompani për menaxhim të ujërave dhe mbeturinave. Distanca e largët nga Komuna e deri te fshatrat që gjenden afër Gjilanit për qytetarë paraqet problem kryesor. Po ashtu problem kyç është edhe çështja e menaxhimit të pyjeve sepse kjo kompetencë tani është e komunës sonë, së cilës ,me marrëveshje mirëkuptimi i janë bartë vetëm një përgjegjës për pylltari dhe një roje pylli për 10 mijë hektarë pyje.
2lonline: Sa po ndihmoheni realisht nga Qeveria qendrore në realizimin e projekteve që decentralizimi në Novobërdë të mos dështojë ?
Ymeri: Të them të drejtën, nuk kam pas përkrahje të mjaftueshme, ashtu siç kanë pasur përkrahje komunat tjera të reja që kanë dalë nga procesi i decentralizimit. Ndoshta po gaboj, por ky është konstatim i imi që ka dalë kur komunën time e krahasojë me komunat tjera të përfshira nga decentralizimi. Për shembull., Qeveria vendosi të ndihmojë komunat e reja me një shumë prej 8 milion eurosh, që ishte për t’u përshëndetur, por sa ishte e drejtë të ndahen nga 1 milion euro, si për komunën e Novobërdës me 204 km² e si për një komunë tjetër me 25 km²? Shuma prej 1 milion eurosh, kur të ndahet në 24 zona kadastrale nuk është e njëjtë sikur kur ndahet 1 milion euro në 3 zona kadastrale.
2lonline: Me komunat fqinje cili është bashkëpunimi që të ndihmoheni si komunë e zgjeruar që jeni ?
Ymeri: Duke e pas parasysh që edhe territor kemi marrë më shumë nga komuna e Gjilanit, me këtë komunë kemi një bashkëpunim të mirë në të gjitha fushat. Gatishmëria e të gjithëve ka qenë që ne të ndihmohemi sepse në asnjë mënyrë ne nuk guxojmë të lejojmë që, gjatë këtij procesi, qytetarët tanë të mbesin pa shërbime. Kemi pasur bashkëpunim në fushën e arsimit, shëndetësisë, inspekcionit, policisë, zjarrfikësve etj.
2lonline: Po me komunën e Gjilani nga e cila komunë keni marrë një pjesët ë territorit, cili është bashkëpunimi konkret. Ka punë që kryen ende komuna e Gjilanit për ju apo jo ?
Ymeri: Me komunën e Gjilanit ne ende vazhdojmë të kemi bashkëpunim sepse territori ynë kufizohet shumë me Gjilanin. Territori ynë hynë edhe në lagjet urbane të Komunës së Gjilanit prandaj, mendoj që është interesi i dyanshëm për bashkëpunim në mënyrë që mos të lejomë që ky territor të degradohet. Bashkëpunim konkret është ai në fushën e inspekcionit shërbim që ende vazhdon të kryhet nga inspektorët e Gjilanit ndërsa të hyrat që gjenerohen shkojnë në buxhetin e komunës së Novobërdës edhe atë pa kompensim. Pastaj bashkëpunimi mes njësive të zjarrfikësve sepse ne jemi larg nga fshatrat që janë afër Gjilanit dhe po qe se ndodhë ndonjë fatkeqësi zjarri, atëherë ne do të ndihmohemi nga ata që janë më afër, pra zjarrfikësit e Gjilanit etj.
2lonline: Cilat janë adutet e komunës suaj që mund të sjellin zhvillim dhe prosperitet për Novobërdë nëse, kuptohet, ndihmoheni në këtë drejtim, si nga komunat fqinje, me një bashkëpunim të mirë të ndërsjellë, po ashtu edhe nga qeveria qendrore por edhe donatorët?
Ymeri: Ne po shpresojmë shumë që më në fund qeveria e Kosovës do të ketë prioritet komuna e pa zhvilluara ekonomikisht t’i ndihmojë në mënyrë që ato mos të ngecin. Pastaj ne kem identifikuar disa fusha te cilat mund te sjellin zhvillim dhe prosperitet për Komunën e Novobërdës. Turizmi rural është një fushë në të cilën duhet të investohet sepse statistikat tregojnë se gjatë kësaj periudhe dy vjeçare të funksionimit është treguar i suksesshëm dhe po ashtu këtë vit është përfituar projekti nga Komisioni Evropian për të financuar në këtë fushë. Është po ashtu edhe kalaja e Novobërdës e cila ende pretë dorën investuese për të gjeneruar pastaj të ardhura për banorët e kësaj Komune. Po ashtu në fushën e blegtorisë qeveria dhe donatorët duhet të ndajnë grante për stimulim të këtij sektori shumë të rëndësishëm. Ne po ashtu do të kërkojmë që të stimulohen bizneset e vogla dhe të mesme sepse praktikat kanë treguar se në të kaluarën disa biznese që janë stimuluar me grante individuale sot janë shumë të suksesshme dhe gjenerojnë të ardhura për familjet e tyre dhe po ashtu në të njëjtën kohë ofrojnë shërbime për qytetarë. Po ashtu jemi në biseda me investitor që dëshirojnë të investojnë në Komunë të cilëve ju premtojmë lehtësira në ofrimin e shërbimeve dhe tokës në shfrytëzim.
2lonline: E dimë që pas një afati të caktuar mund të rishikohet procesi i decentralizimit që buron nga pakoja e Ahtisarit. Çfarë mendoni se do të duhej të ndodh me Novobërdën?
Ymeri: Unë, edhe gjatë fushatës elektorale të vitit 2009, në takimet që kemi pasur me shumë banorë të këtyre zonave që kanë qenë shumë të shqetësuar, jam munduar t’ua sqarojë se, i vetmi aneks në pakon e Ahtisarit që është thënë se ka mundësi të rishikohet, është procesi i decentralizimit. Prandaj unë ju kam premtuar këtyre qytetarëve se, ashtu siç tani po kërkoj mbështetje, ashtu do të jem pranë jush me kërkesë që ky proces të rishikohet. Ne do të jemi dëshmitarë dhe do të shohim se si po ec puna gjatë kësaj periudhe dhe nëse ka defekte ne duhet të ulemi dhe ta ndryshojmë atë e cila duhet të ndryshohet sepse asnjë qeveri në botë nuk duhet të caktojë kufij lokalë në dëm të qytetarëve të saj. Ndoshta vjen koha dhe rishikohet ky proces për të mirën e të gjithë qytetarëve, por pa ndikime politike të njërit apo tjetrit komunitet, por me të vetmin qëllim: për të mirën e të gjithë qytetarëve. Ndoshta atëherë mund të bëhet një riorganizim i ri i cili edhe mund të jetë funksional, ashtu siç kërkohet nga një proces decentralizimi. Në këtë drejtim, unë mund të them se fshatrat që gjeografikisht janë afër Gjilanit duhet të vazhdojnë të mbesin prapë me Gjilanin, ndërsa zonat malore të mbesin me Novobërdë sepse ato edhe në të kaluarën kanë qenë me ne. /2lonline/