Shënohet Dita e Tokës në Komunën e Novobërdës
Komuna e Novobërdës në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit me aktivitete të shumta të organizuara nga Drejtoria e Bujqësisë dhe ajo e Arsimit shënuan sot 22 prillin, Ditën e Tokës.
Me këtë rast prezent ishin një numër i madh i nxënësve, qytetarëve,Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë dhe përfaqësueses të UNDP-së.
Hapësira mes dy komunave ishte sot vendi ku qytetarët vullnetmirë me aksionin e tyre për pastrimin e hapësirës së gjelbër, kanë shënuar këtë ditë të rëndësishme me qëllim të mbajtjes së pastër të kësaj ane edhe për tërë vitin. Gjelbërimi dhe pastërtia duhet të jenë kudo, në shtëpi, qytet, parqe dhe hapësira të tjera kudo që ekzistojnë, në mënyrë që të kemi një ajër më të mirë dhe pastërti kudo në hapësirën e këtyre komunave dhe të vendit në përgjithësi, ishin vlerësimet e të gjithë të pranishmëve.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, .Qemajl Mustafa, tha se me simbolikën e sotme që po bëjnë së bashku, është në funksion të edukimit të të gjithëve për ta ruajtur resursin më të vlefshëm dhe të vetmin që e kemi e ajo është toka. Ndaj Dita e Tokës dhe aktivitetet e kësaj natyre, uroj që të mos festohet me entuziazëm vetëm sot, por aktivitete të tilla duhet të vazhdojnë për çdo ditë, gjatë tërë vitit, në mënyrë që natyrën ta ruajmë, sepse ato janë mushkrit tona.
Ai tha se duhet të angazhohemi të gjithë për ambientin dhe atë në tri faza, në ruajtjen e ujit, ajrit dhe tokës pa të cilat nuk ka jetë që mund ta quajmë edhe fazë të jetesës, faza tjetër është ajo e mbijetesës, kur njeriu i ka të dëmtuara ndonjërën nga ato që thash. “Ne në Gjilan kemi një ambient mjaft të mirë, por atë duhet ta ruajmë të gjithë, në mënyrë që vetvetes ti krijojmë mundësi për të jetuar”, ka thënë Mustafa.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Novobërdës Bajrush Ymeri ka kërkuar të mbajmë ambient të pastër, gjatë gjithë vitit dhe të punojmë për territorin tonë 24 orë, sepse duke pasur një pastërti në tërë territorin jemi më të shëndetshëm, kemi më shumë vizitorë, investitor të mundshëm për investime dhe synim është që të kemi edhe tërë vendin tonë të pastër.
Ymeri ka porositur që 22 prilli të mos jetë vetëm një ditë kur ne përkujdesemi për pastërtinë, por kujdesi të jetë i përditshëm.
Ndërsa, Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jan Braathu, tha se projekti është shumë i rëndësishëm për shumë arsye, e para është kjo hapësir që për mua është me shumë rëndësi, e dyta është kooperimi i mirë mes dy komunave për këtë qëllim dhe e treta është angazhimi i të rinjve për këtë qëllim, pra për pastërtinë.
Në çdo vend janë dy resurse fondamentale, janë njerëzit dhe është toka, pra duhet të kemi një edukim të mirë të njerëzve për këtë qëllim dhe kur kjo ekziston, kujdesi për tokën është gjithnjë i kënaqshëm. Mes dy komunave unë po shohë një pasuri jashtëzakonisht të madhe. E ajo është toka, janë pyjet, janë këta lumenj e ky ajër i pastër dhe ky entuziazëm i gjithë qytetarëve.
Të pranishëm në fshatin Stanishor që gjendet mes dy komunave ishin edhe përfaqësuesja e UNDP-së në Kosovë, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, vullnetarët e mëngjesit, dhe qytetarë të shumtë. Më pas është bërë pastrimi i ambientit në atë pjesë dhe një shëtitje e përbashkët në një distancë prej më shumë se 10 kilometra në malet e kësaj ane. Gjithashtu është mbajtur një trajnim për disa nxënës nga shkollat e Komunës së Gjilanit dhe më pas është bërë edhe pastrimi i qytetit.