Kryetari Bajrush Ymeri mori pjesë në punëtorinë e organizuar nga KLGI dhe ICDT
Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) në partneritet me Qendrën Ndërkombëtare për Demokraci Tranzicion (ICDT) organizoi në Ohër të Maqedonisë konferencën me temën ‘Zbatimi i ligjeve mbi përdorimin e gjuhëve në komunat e Kosovë’, si dhe ‘Përmirësimi i Politikave Qeverisëse në Nivel Lokal’.
Bashke-organizatorët së bashku më përfaqësues të komunave dhe ekspertë të pushtetit lokal diskutuan legjislacionin dhe rregulloret e përdorimit të gjuhëve në nivelin e qeverisjes lokale, në veçanti të atyre në Novobërdë, Ranillug dhe Kastriot.
Në konference gjithashtu u diskutua, nevoja për transparence të plotë institucionale të përcjelle me informim të mirëfilltë publik për të gjithë qytetaret dhe grupet sociale pa asnjë dallim.
Kryetari i Komunës së Novobërdës Bajrush Ymeri, ka thënë në ketë konferencë se Komuna e Novobërdës, po bën përpjekjet maksimale që qytetarët të jenë të informuar rreth zhvillimeve në Komunë në të dy gjuhët zyrtare. “Nga viti i kaluar kemi punësuar edhe një përkthyes, dhe tani po kemi mundësi më të mira që të gjitha dokumentet që dalin nga komuna të jenë në të dy gjuhët” ka thënë kryetari Bajrush Ymeri
Kryetari Ymeri falënderoi organizatorët për punëtorinë në të cilën përveç tij morën pjesë edhe tre zyrtarë të tjerë komunal.
Z. Besnik Tahiri, drejtor i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale theksoi se me Kushtetutë, me ligjet në fuqi, komunave i është atribuuar një numër i madh i kompetencave dhe përgjegjësive ekzekutive, dhe mund të vlerësohet se ky është një zhvillim pozitiv.
Megjithatë, duke konsideruar volumin e madh të nevojave dhe kërkesave për shërbime, si dhe presionin në rritje nga ana e qytetarëve kundrejt komunave për të sjellë më shumë cilësi dhe efikasitet, atëherë mund të nxirret një vlerësim se aktualisht përballemi me një hendek mes asaj që është në letër dhe kapaciteteve e mundësive komunale.
Në këtë drejtim, përjashtim nuk paraqesin as zbatimi i legjislacionit për gjuhët, si dhe politikave të qeverisjes së mirë.
Në këtë drejtim komunat duhet përkrahur nga faktori ndërkombëtar, niveli qendror, si dhe të interesuar të tjerë, në të kundërtën ato nuk mund të konsiderohen si institucionet e vetme përgjegjëse për ngecjet eventuale.
Republika e Kosovës me Kushtetutën vet ka konfirmuar vullnetin e vet për avancimin e demokracisë dhe qeverisjes lokale me mundësi të barabarta, megjithatë, në nivelin komunal ka kapacitete të mangëta dhe resurse të kufizuara për të zbatuar obligimet të mëdha që bien mbi supet e komunave përmes ligjeve në fuqi, u tha në punëtorinë dy ditore që u mbajt në Ohër të Maqedonisë nga 28-30 prill 2011.
ICDT është organizatë jo-qeveritare me seli në Budapest të Hungarisë e cila punon në vende të ndryshme të botës në çështjet që ndërlidhen me forcimin dhe avancimin e demokracisë dhe përkrahje për shoqëritë që janë në tranzicion.