Kryetari Bajrush Ymeri takoi Kryeministrin Dr. Sali Berisha
Kryetari Bajrush Ymeri, në kuadër të programit të “Akademisë për Qeverisje Lokale”, e takoi kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Sali Berisha. Gjatë takimit me kryeministrin Berisha, kryetari Ymeri e falënderoi z. Kryeministër për angazhimet e tij në avancimin e çështjes kombëtare dhe, në veçanti, në përkrahjen e Kosovës në rrugëtimin e vet, në të gjitha fazat.
Gjatë këtij takimi, që ishte në frymë shumë vëllazërore, kryetari Ymeri shfrytëzoi rastin t’i dhurojë kryeministrit Berisha edhe një publikim që pasqyron pasuritë e Komunës së Novobërdës, vlerat arkeologjike si dhe pasuritë dhe mundësitë që i ka kjo komunë.
Kryeministri Berisha, duke falënderuar kryetarin Ymeri, edhe një herë ritheksoi përkushtimin e qeverisë së tij për të ndihmuar Kosovën në rrugëtimin e vet, në veçanti, në konsolidimin e shtetit më të ri të Evropës.
Në Kuadër të programit “Akademia për Qeverisje Lokale”, në vizitë studimore në Maqedoni, Shqipëri dhe Mal të Zi, kanë marrë pjesë edhe katër zyrtarë të lartë të komunës: Nënkryetari Driton Abdyli, kryesuesja e Asamblesë Komunale znj. Shefkije Mehmeti si dhe dy këshilltarë komunalë, Nazmi Sijarina dhe Ramush Mehmeti
Kjo vizitë studimore për Komunën e Novobërdës u mundësua nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale, në mbështetje të Ambasadës Norvegjeze.