Zbatueshmëria e procesit të decentralizimit, pas formimit të komunave të reja në rajonin e Gjilanit, ka qenë temë e diskutimit të shefit të Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), Pieter Feith, në takimin e tij në Gjilan, që pati me kryetarët e dy komunave të Anamoravës, me Qemajl Mustafën kreun e Gjilanit dhe Bajrush Ymerin të parin e Novobërdës.
“Unë mendoj se është arritur një progres shumë i madh në fushën e pajtimit ndërmjet komuniteteve, në shtyrjen përpara të proceseve të konsolidimit dhe mendoj se do të bëhet më shumë në aspektin e investimeve, por që duhet të jemi realist, sepse decentralizimi është një punë shumë komplekse, ku gjithmonë ka vështirësi, gjithmonë ka ngritje dhe shqetësime të reja”, tha Feith.
Ai tha se duhet që të sigurohemi që kompetencat të barten në mënyrë të duhur nga komunat amë në ato të reja, duhet që të tërhiqen investimet dhe duhet që të krijojhen vende të reja të punës për komunat e formuara dhe po ashtu duhet që të thellohet bashkëpunimi ndërmjet qeverisë së nivelit qendror.
Shefi i ICO-s, Feith tha se decentralizmi ka qenë një zgjidhje shumë e mirë dhe tani qytetarët mund të gëzojnë shërbime shumë më të mira sesa që kanë pas përpara.
Në anën tjetër, kryetari i komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, ka thënë se ne jemi në implementim të decentralizmit, gjegjësisht të Pakos së Ahtisarit, e cila është kategori kushtetuese, që është votuar edhe në Kuvend të Kosovës.
Kryetari Mustafa tha se secila komunë ka qenë e hapur ndaj njëra tjetrës, e në këtë rast komuna e Gjilanit ka qenë e hapur me dy komunat tjera atë të NovoBërdës dhe atë të Parteshit, duke vazhduar me dhënien e dokumentacionit për qytetarët e këtyre dy komunave, pastaj në ngritjen e kapaciteteve, si dhe bartjen dhe transferimin e dokumentacionit dhe të kompetencave.
“Me komunën e Novobërdës kemi bërë një progres të mirë sepse kjo komunë ka filluar me dhënien e shërbimeve edhe në zonat kadastrale të cilat kanë kaluar nën administrimin e kësaj komune nga komuna e Gjilanit”, tha Mustafa.
Ndërsa kryetari i komunës së Novobërdës, Bajrush Ymeri tha se kanë rënë dakord që të punojmë ngushtë që procesi i decentralizmit të implementohet në tërësi. Ai ka siguruar qytetarët të cilët janë futur në administrimin e Novobëdës, se do t’iu ofrohen shërbime të mira.